V
azhdon dominimi i Barcelonës në “El Clasico”. Këtë radhë katalanasit kanë fituar 2-1 në “Santiago Bernabeu” në sfidën e parë të çerekfinaleve të Kupës së Mbretit duke përmbysur disavantazhin falë një lojë më të mirë se ekipi vendas.
Gjërat filluan në mënyrën e duhur për Realin që gjen shpejt golin me anë të Kristiano Ronaldos, që në minutën e 11-të, falë edhe një pasigurie të portierit Pinto që sheh topin t’i kalojë mes këmbëve.
Megjithatë, katalanasit nuk dorëzohen dhe arrijnë të tregojnë lojën e tyre tipike me shumë pasime, duke vënë shpeshherë në vështirësi portierin Kazijas me anë të Sançez e Iniesta.
Nëse sulmuesit nuk shënojnë, për të zgjidhur problemet e Guardiolës mendon kapiteni Pujol, i cili vjen nga mbrojtja dhe pas një goditje dënimi në minutën e 48-të vendos barazpeshën në shifra me një zhytje me kokë.
Që nga ai moment, në fushë është vetëm Barcelona, e cila kërkon në çdo mënyrë të gjejë golin dhe e arrin atë falë një shpikje të Mesit. Argjentinasi sheh inkursionin në zonë të Abidal në minutën e 77-të dhe jep një top që mbrojtësi francez nuk mund ta gabojë duke e dërguar pas krahëve të Kazijas. 2-1 dhe përmbysje e realizuar në perfeksion.
Reali gjen mënyrën më të gabuar për të reaguar, me ndërhyrje të parregullta që nervozojnë lojën deri në vërshëllimën përfundimtare dhe nuk shmangin një tjetër humbje para publikut të tyre .
Tashmë mbetet për t’u parë se si do të reagojnë dy skuadrat pas kësaj ndeshje të parë, jo vetëm në çerekfinalen e kthimit të javës tjetër, por edhe në kampionat ku Reali ka një diferencë prej 5 pikësh ndaj katalanasve. (LajmeShqip.com)
Thursday, 19 January 2012 00:16