Nëse madrilenët e kanë pranuar disi humbjen dhe janë thuajse të sigurtë për eliminimin nga çerekfinalet e Kupës së Mbretit, mesfushorët e Barcelonës, Andres Iniesta dhe Çesk Fabregas janë të sigurt se ekipit i duhet të luftojë deri në sekondën e fundit për të siguruar kualifikimin.
Andres Iniesta bën të qartë se ekipi duhet të vazhdojë të bëjë atë që di më mirë, të luajë vetëm për të fituar. “Ne mundohemi që të ruajmë një sjellje sa më pozitive, nuk dua të merrem me polemikat e ndeshjes. Murinjo? Secili e interpreton ndeshjen në mënyrën e tij. Ne kemi bërë të njëjtën gjë, qëndruam të qetë pas golit të pësuar dhe fituam. Është një hap para por kundër Madridit nuk je asnjëherë i sigurt”, tha mesfushori.
Shoku i tij i skuadrës, Fabregas, është i të njëjtit mendim. “Kemi bërë një ndeshje të jashtëzakonshme por luhen 180 minuta në total. Duhet të shënojmë edhe në Kamp Nou dhe do të bëjmë maksimumin për një gjë të tillë. Pasioni i Real Madrid është shumë i madh ndaj duhet të paraqitemi gjithmonë në maksimum”, deklaroi Fabregas. (LajmeShqip.com)
Thursday, 19 January 2012 17:29