Skandali i basteve në Itali ka sjellë konfirmimin përfundimtar se edhe kampionati elitar i këtij vendi, Seria A, është e trukuar. Gjithçka është bërë e ditur nga një prej protagonistëve të këtyre trukimeve, ish-futbollisti i Piaçencës, Karlo Gervasoni, i cili u ka dhënë hetuesve emra ndeshjesh por edhe lojtarësh që janë bërë pjese e sistemit.
Askush nuk priste që Gervasoni të “zbërthehej” para hetuesve deri në këtë pikë, pasi mendohej se ai thjesht do të pranonte fajin dhe do të kërkonte masën e arrestit në shtëpi. Por duket se lojtari, që kishte rolin e ndërmjetësit të “ciganëve” dhe aziatikëve në Itali, ka zgjedhur të bashkëpunojë me drejtësinë italiane duke treguar çdo detaj.
Si rrjedhojë, gjatë marrjes në pyetje për rreth 6 orë, Gervasoni ka treguar gjithçka, duke filluar nga 10 ndeshje të tjera përveç atyre për të cilat kishin dijeni hetuesit. Mes këtyre ndeshjeve, 3 ishin të Serisë A dhe në 2 prej tyre rezultati përfundimtar i takimeve kishte qenë 100% i trukuar. Kuptohet që kjo gjë ishte organizuar me bashkëpunimin e futbollistëve që kanë pranuar para për të trukuar rezultatet dhe Gervasoni ka treguar rreth 20 emra lojtarësh të përfshirë, disa prej të cilëve në Serinë A, por asnjë prej tyre “elitar”.
Por një nga lajmet më të bujshme është fakti që organizata në falë kishte “spiunë” brenda Lega Calcio, institucionit që drejton organizimin e kampionateve në Itali. Një sekretare e punësuar në këtë institucion kishte patur telefonata të vazhdueshme me Kristiano Donin dhe Stefano Betarinin, duke i lajmëruar rreth ecurisë së hetimeve. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 27 December 2011 19:02