Dëmtimet e lojtarëve kyç të Nju Jorkut në këtë pikë të sezonit po vënë në rrezik shanset e kësaj skuadre për të luftuar për titullin në NBA. Skuadra që aktualisht mban vendin e tretë në renditjen e Konferencës së Lindjes, po rrezikon të humbasë pozita të tjera në klasifikim nëse nuk reagon ndaj këtyre problemeve fizike.
Ndeshja e mbrëmshme kundër LA Klipërs u kthye në një formalitet për vendasit që e kishin shumë të lehtë të dominonin ndaj Nju Jork me gjithë këto mungesa. Kris Pol shënoi 20 pikë e 8 pasime, Karon Batler shtoi 14 pikë ndërsa Bleik Grifin regjistroi 12 pikë e 12 pasime, duke mbajtur ekipin e tyre në kreun e Divizionit të Paqësorit, në kërkim të titullit të parë për skuadrën.
Në Konferencën e Lindjes, vazhdon furia e Majemit, që ka regjistruar suksesin e 22-të radhazi duke mundur Toronton me rezultatin 108-91. LeBron Xhejms shënoi 22 pikë, 12 topa në tabelë dhe 8 pasime, duke i dhënë skuadrës këtë sukses historik që barazoi serinë e dytë më të gjatë pozitive në historinë e NBA, që mbahej nga Hjuston. Si për ironi të fatit, Majemi do të udhëtojë të martën drejt Boston, skuadrës që 5 vite më parë ndali serinë pozitive të Hjuston dhe tani do të mundohet të bëjë të njëjtën gjë me kampionët e NBA. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Majemi-Toronto 108-91
Orlando-Miluoki 109-115
Nju Jork-La Klipërs 80-93
Golden Steit-Hjuston 108-78
Nju Orlins-Minesota 95-97
Oklahoma-Dallas 107-101
Atlanta-Bruklin 105-93
Sakramento-LA Leikërs 102-113
Monday, 18 March 2013 10:40