San Antonio i ka dhënë një leksion historik kampionëve në fuqi të NBA, Majemit, në ndeshjen e tretë finale, duke kryesuar tashmë serinë 2-1 pas suksesit 113-77. Gjithçka është bazuar në një mbrojtje hermetike, thuajse të pakalueshme, si dhe gjuajtjeve për tre pikë, ku teksanët shënuan 16 të tilla, duke vendosur rekordin për një ndeshje finale të NBA.
Deni Grin shënoi 7 gjuajtje për tre pikë dhe e mbylli ndeshjen me 27 pikë, ndërsa Geri Nill realizoi 6 të tilla, duke mbyllur ndeshjen me 24 pikë. Këta dy lojtarë ishin protagonistë absolut të kësaj fitoreje përballë Majemit, që gjithsesi u shfaq shumë larg niveleve të zakonshme.
LeBron Xhejms përjetoi një prej mbrëmjeve më zhgënjyese të karrierës së tij. I mbuluar rreptësisht nga Kauhi Leonard, ai arriti të realizonte vetëm 7 nga 21 tentativat nga fusha, për një total prej 15 pikësh në këtë ndeshje, shumë poshtë standardit të tij. Për të kuptuar se sa zhgënjyes ishte Majemi në këtë sfidë, mjafton të shohësh se pikëshënuesi më i mirë ishte Duejn Uejd me 16 pikë. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 12 June 2013 08:13