Majemi ka pësuar një humbje të papritur në fushën e Uashington duke u mundur me rezultatin 105-101 përballë skuadrës që kishte fituar vetëm 1 ndeshje deri tani në këtë sezon të NBA dhe po shkon drejt renditjes në vendin e fundit në këtë edicion.
Për kampionët në fuqi të NBA, nuk ka mjaftuar paraqitja e jashtëzakonshme e LeBron Xhejms, që realizoi 26 pikë, 13 topa në tabelë e 11 pasime, ndërsa bashkë me Duejn Uejd (24 pikë), u munduan të kthenin një ndeshje të cilën Uashington e dominoi që në fillim. Për vendasit, ylli i mbrëmjes ishte Xhordan Krouford, autor i 22 pikëve.
Në Konferencën e Perëndimit, LA Leikërs nuk po arrijnë të gjejnë formën e tyre dhe për momentin e shohin veten jashtë zonës së play-off, me 8 fitore e 10 humbje. Disfata e radhës ka ardhur në fushën e Hjuston, ku pavarësisht një kryesimi me 10 pikë diferencë në fillimin e periodës së fundit, kalifornianët janë mundur me rezultatin 107-105. Kobi Brajant ka shënuar 39 pikë, ndërsa Duajt Hauard ka shtuar 16 pikë e 12 topa në tabelë, por as këto paraqitje nuk kanë mjaftuar për të siguruar këtë sukses, pasi te Hjuston kanë shkëlqyer rezervat Tonei Dagllas (22 pikë) dhe Greg Smith (21 pikë, 9 topa në tabelë) për të siguruar këtë fitore të rëndësishme për skuadrën që ka pësuar një transformim rrënjësor që pas afrimit të Xheremi Lin dhe Xhejms Harden.
Oklahoma ka arritur të sigurojë një fitore përballë një prej skuadrave surprizë të sezonit, Bruklin, duke mposhtur ekipin e dytë të qytetit të Nju Jorkut me rezultatin 117-111. Finalistët e sezonit të kaluar në NBA kanë regjistruar një saktësi shënimi mbi 60% në këtë sfidë, të udhëhequr nga Kevin Durant që shënoi 32 pikë, 5 topa në tabelë e 6 pasime. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Majemi-Uashington 101-105
Minesota-Filadelfia 105-88
Oklahoma-Bruklin 117-111
Feniks-Memfis 98-108
Indiana-Çikago 80-76
LA Leikërs-Hjuston 105-107
Wednesday, 05 December 2012 10:19