Majemi është kthyer në ekipin e përmbysjeve, pasi për herë të shtatë në këtë sezon, ka arritur të kthejë në fitore një disavantazh në pjesën e dytë të takimit. Këtë radhë, ndaj Bruklin Nets, Majemi ka përmbysur 14 pikë disavantazh në periodën e tretë, për të arritur një sukses të rëndësishëm 102-89 ndaj një rivali direkt, duke çuar në 6 numrin e fitoreve radhazi të kampionëve në fuqi të NBA.
Protagonisti i mbrëmjes ishte Duejn Uejd me 34 pikët e tij, ndërsa LeBron Xhejms shtoi 21 pikë, duke qenë gjithashtu vendimtar në 2 minutat e periodës së tretë ku dy vjedhjet e tij u kthyen në pikë të rëndësishme për përmbysjen gjatë kësaj sfide. Ylli i Majemit ka shënuar të paktën 20 pikë në secilën prej 15 ndeshjeve të luajtura në këtë sezon.
Një rezultat i rëndësishëm është edhe fitorja e San Antonios përballë Memfis, që kryeson renditjen në Konferencën e Perëndimit. Teksanët, pas gjobës prej 250 mijë dollarësh të marrë nga NBA sepse kishin lënë pushim titullarët ndaj Majemit, treguan se sa u kishte shërbyer ai pushim me Toni Parker që shënoi 30 pikë e Tim Dankan që shtoi 27 pikë e 15 topa në tabelë, në atë që ishte paraqitja e tij më e mirë e sezonit. Dy skuadrat më të mira të Perëndimit luftuan deri në sekondën e fundit, siç e tregon fakti që ndeshja u mbyll pas një periode shtesë. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Bruklin-Majemi 89-102
Portland-Kliveland 118-117
Utah-Hjuston 116-124
Filadelfia-Çikago 88-93
Oklahoma-Nju Orlins 100-79
Boston-Miluoki 88-91
Memfis-San Antonio 95-99
Detroit-Dallas 77-92
Indiana-Golden Steit 92-103
Sakramento-LA Klipërs 81-116
Sunday, 02 December 2012 09:19