LA Leikërs kanë humbur ndeshjen e dytë radhazi nën drejtimin Majk D’Antoni, duke bërë të qartë se telashet e tyre nuk kanë zgjidhje për momentin. Kalifornianët këtë radhë janë mundur në fushën e Memfis me rezultatin 106-98, pa arritur të shprehin potencialin e pabesueshëm të yjeve që kanë në dispozicion.
Memfis ka arritur të shpërndajë mjaft mirë detyrat ndër lojtarë të ndryshëm, ndërsa Zak Randolf ishte lojtari më i rëndësishëm me 17 pikë e 12 topa në tabelë. Ndërkohë, LA Leikërs u bazuan vetëm te Brajant, autor i 30 pikëve në këtë ndeshje ku Hauard dhe Gasol shënuan respektivisht 7 dhe 6 pikë.
Pol Pirs ka dhuruar një paraqitje spektakolare në fitoren 108-100 të Boston ndaj Oklahoma, duke shënuar 22 nga 27 pikët e tij në pjesën e dytë të ndeshjes. Paraqitja e tij mund të ishte prishur nga Kevin Durant, i cili në sekondat e fundit humbi gjuajtjen për 3 pikë që mund të kishte ndryshuar fatin e ndeshjes, ndërsa mbylli këtë takim me 29 pikë për skuadrën e Oklahomas.
Ndërkohë një humbje të rëndë me 28 pikë diferencë ka pësuar Nju Jork në fushën e Hjuston, ndërsa Bruklin ka mundur LA Klipërs, duke u konfirmuar mes ekipeve pretendente në Konferencën e Lindjes. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Atlanta-Sharlot 101-91
Kliveland-Orlando 104-108
Toronto-Detroit 90-91
LA Klipërs-Bruklin 76-86
Oklahoma-Boston 100-108
San Antonio-Indiana 104-97
LA Leikërs-Memfis 98-106
Nju Jork-Hjuston 103-131
Golden Steit-Denver 91-102
Nju Orlins-Feniks 108-111
Sakramento-Utah 102-104
Minesota-Portland 95-103
Saturday, 24 November 2012 11:27