LA Leikërs duket se e kanë të vështirë të mbajnë një seri pozitive për një periudhë të gjatë kohore. Pas tre fitoreve radhazi në shtëpi, ka ardhur edhe humbja e zakonshme në transfertë, pasi kalifornianët janë mundur në Feniks me rezultatin 92-86.
Ndonëse LA Leikërs kishin një avantazh prej 13 pikësh në periodën e fundit, ata janë treguar shumë të ngathët duke mos arritur të ndalnin kundërshtarët e tyre, e sidomos Majkëll Bisli, i cili shënoi 27 pikë në këtë sfidë. Kobi Brajant luajti përsëri më shumë si një organizator sesa një sulmues i mirëfilltë dhe e mbylli ndeshjen me 17 pikë e 9 pasime, por duhet theksuar se këtë radhë mungoi kontributi i Duajt Hauard poshtë koshit. Qendra e LA Leikërs shënoi 9 pikë dhe 14 topa në tabelë, por u largua nga fusha e lojës kur kishin mbetur pak më shumë se 6 minuta lojë për shkak të përsëritjes së dëmtimit në shpatull.
Ndërkohë, Majemi ka lënë pas krahëve humbjen pas dy kohëve shtesë në fushën e Boston të së dielës, duke mundur lehtësisht Bruklin me rezultatin 105-85 në Nju Jork. LeBron Xhejms regjistroi 24 pikë, 9 topa në tabelë e 7 pasime, ndërsa Duejn Uejd shënoi 21 pikë në këtë ndeshje ku kampionët e NBA shpërthyen në pjesën e dytë duke mos i lënë mundësi reagimi skuadrës së Bruklin, që nuk përballoi dot sulmet e tyre. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Detroit-Indiana 79-98
Uashington-Filadelfia 84-92
Toronto-Atlanta 92-93
Orlando-Nju Jork 97-113
Sakramento-Boston 81-99
LA Klipërs-Minesota 96-90
Çikago-Miluoki 104-88
Majemi-Bruklin 105-85
Sharlot-San Antonio 78-102
Nju Orlins-Utah 99-104
Hjuston-Denver 110-118
LA Leikërs-Feniks 86-92
Thursday, 31 January 2013 10:16