Tim Dankan duket se dëshiron me çdo kusht të shkojë përsëri në finalen e NBA, pasi qendra e San Antonio ka dhuruar një tjetër paraqitje të shkëlqyer duke udhëhequr ekipin e tij drejt fitores 104-93 në kohën shtesë, për të çuar në 3-0 serinë ndaj Memfis.
Qendra e skuadrës teksane dhuroi një tjetër paraqitje mbresëlënëse me 24 pikë, 10 topa në tabelë e 5 pasime, duke ndihmuar ekipin të rikuperonte 18 pikë gjatë kohës së rregullt dhe më pas të fitonte në kohët shtesë të takimit. 37 vjeçari shënoi 5 pikët e para të skuadrës së tij në kohën shtesë, duke treguar se ndonëse është një nga “veteranët” e kësaj loje, mund të bëjë përsëri lehtësisht diferencës falë eksperiencës së jashtëzakonshme që ka.
Megjithatë, për të fituar këtë ndeshje në fushën kundërshtare dhe për të bërë një hap tjetër drejt finales së madhe të NBA, San Antonios iu desh edhe kontributi i jashtëzakonshëm i dy “veteranëve” të tjerë, Toni Parker (26 pikë, 5 pasime) dhe Manu Xhinobili (19 pikë, 7 topa në tabelë e 5 pasime). Duhet kujtuar se asnjë skuadër në historinë e NBA nuk ka arritur të përmbysë një disavantazh 3-0 për të fituar serinë.(LajmeShqip.com)
Sunday, 26 May 2013 09:49