San Antonio i ka mbijetuar furisë së minutave të fundit të Memfis, për të fituar edhe takimin e dytë të finales së Konferencës së Perëndimit, ndonëse këtë radhë i është dashur një paraqitje e shkëlqyer në kohën shtesë.
Në suksesin 93-89, meritë të madhe ka Toni Parker, i cili nuk ishte aq vendimtar në shënimin e pikëve me 15 të tilla, sa me shpërndarjen e pasimeve për shokët e skuadrës, duke regjistruar shifrën më të lartë të asist në playoff në karrierën e tij, me 18 të tillë. Ndërkohë, Tim Dankan u tregua i jashtëzakonshëm në kohën shtesë, pasi shënoi 6 nga 17 pikët e tij në këtë pjesë loje.
Në radhët e Memfis duket se ofensiva nuk po funksionon ende siç duhet, pasi asnjë prej lojtarëve të kësaj skuadre nuk arrin të kalojë shifrën e 20 pikëve përballë ekipit të San Antonios. Në takimin e mbrëmshëm, Gasol regjistroi 12 pikë e 14 topa në tabelë, ndërsa Randolf, që mendohet të jetë forca kryesore e sulmit të skuadrës, shënoi 15 pikë e 18 topa në tabelë. Të dy lojtarët arritën të çonin ekipin deri në kohën shtesë pas një periode të katërt të shkëlqyer, por më pas e kishin të pamundur të ndalonin furinë e vendasve. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 22 May 2013 09:32