San Antonio konfirmohet si një nga superfuqitë e Konferencës së Perëndimit në NBA duke marrë një sukses mjaft të rëndësishëm 84-82 në fushën e LA Leikërs, për t’i shkaktuar këtyre të fundit humbjen e 5-të të sezonit.
Për ekipin teksan, lojtari më i mirë në fushën e lojës ishte Tim Dankan, i cili me 19 pikë e 9 topa në tabelë tregoi se mund të përballojë atë që cilësohet qendra më e mirë në NBA, Duajt Hauard, të cilit i bëri bllok dy herë radhazi. Ky i fundit u përgjigj me 13 pikë e 15 topa në tabelë, por nuk ishin mjaftueshëm për të ndihmuar skuadrën e tij të fitonte këtë sfidë, të parën që pas emërimit të Majk D’Antoni si trajner i LA Leikërs.
Në këtë fillim sezoni vazhdon të shkëlqejë Nju Jork, që ka siguruar fitoren e 5-të në po aq ndeshje të luajtura, duke mundur 99-89 skuadrën e Orlando. Karmelo Entoni shënoi 25 pikë, ndërsa Felton dhe Smith shënuan nga 21 të tilla në këtë sukses mjaft të rëndësishëm për ekipin, që ka regjistruar kështu fillimin më të mirë të sezonit në historinë e vet dhe vazhdon të jetë skuadra e vetme e NBA që nuk është mundur në këtë sezon. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Nju Jork-Orlando 99-89
Uashington-Sharlot 76-92
Toronto-Indiana 74-72
Kliveland-Bruklin 101-114
Portland-Sakramento 103-86
San Antonio-LA Leikërs 84-82
Wednesday, 14 November 2012 09:01