Autoritetet polake kanë bërë të ditur se presin mbërritjen e rreth 20 mijë tifozëve rusë në Varshavë për të ndjekur të shtunën ndeshjen Rusi-Greqi që do të përcaktojë fatet e Grupit A. Ky është dyfishi i numrit të tifozëve të pranishëm në ndeshjen kundër Polonisë që u karakterizua nga shfaqje dhune në të gjithë qytetin.
Por tani forca policore të Varshavës kanë marrë masa për të mbrojtur tifozët nga ngjarjet e pak ditëve më parë, ku huliganët polakë sulmuan si tifozët rusë, ashtu edhe policinë, duke detyruar këtë të fundit të përdorë gazin lotsjellës dhe plumbat e manovrës për të shpërndarë turmat e mbledhura në pjesë të ndryshme të qytetit.
Pas telefonatës të së mërkurës mes presidentit rus Vladimir Putin dhe kryeministrit polak Donald Tusk, ku Kremlini i la përgjegjësinë e plotë të ngjarjeve shtetit polak, u desh një ndërhyrje e vetë Ministrit të Brendshëm polak, Jaçek Çiçocki, që të siguronte se këtë radhë nuk do të kishte asnjë problem.
“Kemi marrë masa që ngjare të tilla të mos përsëriten”, tha ai, por mendohet se “pushtimi rus” i Varshavës do të shoqërohet me të tjera shfaqje dhune, pasi grupet e huliganëve polakë po riorganizohen që të sulmojnë përsëri.
Molla e sherrit do të jetë përsëri ura e famshme Poniatovski, sipër të cilës tifozët rusë festuan Ditën e Pavarësisë të Rusisë, duk lëshua thirrje nacionaliste për “Perandorinë Ruse”, si për t’iu kujtuar polakëve vitet pushtimit dhe ato nën thundrën e egër të regjimit komunist. (LajmeShqip.com)
Grupi A
Poloni-Greqi 1-1
17’ Levandovski / 51’ Salpingidis
Rusi-Republika Çeke 4-1
15’, 79’ Xhagoev, 24’ Shirokov, 82’ Pavliuçenko / 52’ Pilar
Greqi-Republikë Çeke 1-2
53’ Gekas / 3’ Jiraçek, 6’ Pilar
Poloni-Rusi 1-1
57’ Blazhçzikovski / 37’ Xhagoev
Renditja
Rusi 4 5-2
R. Çeke 3 3-5
Poloni 2 2-2
Greqi 1 2-3
16.06.2012
Greqi-Rusi 20:45
Gjyqtar: Jonas Erikson (Suedi)
Varshavë (Poloni)
Republikë Çeke-Poloni 20:45
Gjyqtar: Kreig Tomson (Skoci)
Vroclav (Poloni)
Friday, 15 June 2012 11:40