Rei Alen ka treguar se kalimi i tij nga Boston te Majemi nuk është rastësi, pasi ka ende shumë për të dhënë dhe mund të jetë një armë e fortë në këtë sezon për kampionët në fuqi të NBA. Rekordmeni i NBA për gjuajtjet për tre pikë, i ka siguruar suksesin 119-116 skuadrës së tij përballë Denver, pikërisht me një gjuajtje nga distanca.
Majemi ishte në disavantazh të 1 pike kur kishin mbetur edhe 14 sekonda lojë, por Xhejms arriti të tërhiqte mbrojtjen kundërshtare pas vetes, duke pasuar më pas të Alen që shënoi për tre pikë dhe fitoi një faull. Megjithatë, duhet theksuar se Majemi vuajti shumë përballë ekipit atletik të Denver, pasi u desh që Kris Bosh të shënonte 40 pikë e 7 topa në tabelë, ndërsa LeBron Xhejms të shtonte 20 pikë, 11 pasime e 9 topa në tabelë që kampionët të evitonin humbjen e dytë radhazi.
Nata e mbrëmshme ka dhuruar shumë rezultate të tjera të papritura, duke filluar me humbjen e Çikago përballë Nju Orlins apo të LA Klipërs përballë Golden Steit. Ndërkohë, San Antonio ka vazhduar serinë e fitoreve, duke marrë të tretën radhazi në triumfin përballë Utah. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Sakramento-Indiana 98-106
Boston-Uashington 89-86
Toronto-Bruklin 100-107
Denver-Majemi 116-119
Nju Orlins-Çikago 89-82
Portland-Hjuston 95-85
Sharlot-Dallas 99-126
Utah-San Antonio 100-110
Kliveland-Miluoki 102-105
Golden Steit-LA Klipërs 114-110
Sunday, 04 November 2012 09:01