Playoff ne NBA ka filluar mbrëmë me ndeshje të cilat kanë ruajtur parashikimet, duke i dhënë fitoren të 4 skuadrave vendase. Domethënëse janë sukseset e Nju Jork dhe LA Klipërs, respektivisht ndaj Boston dhe Memfis, një sinjal i qartë i ndryshimit të hegjemonive në Konferencat përkatëse.
Karmelo Entoni shënoi 36 pikë në një ndeshje ku nuk u shfaq në maksimumin e tij pasi realizoi vetëm 13 nga 29 tentativat nga fusha. Por gjithsesi, kjo paraqitje i mjaftoi Nju Jork për të kaluar Boston, që duket si një skuadër normale pa Razhan Rondon dhe ka shumë pak shanse për të synuar kalimin e turit të parë në këtë edicion.
Një sukses i rëndësishëm ka qenë ai i LA Klipërs përballë Memfis, një skuadër që ka treguar në këto sezone të fundit se dëshiron më shumë se thjesht pjesëmarrjen në këtë fazë të turneut. Por Kris Pol ishte i pandalshëm në lojën e tij për ekipin kalifornian, duke regjistruar 23 pikë e 7 pasime, ndërsa LA Klipërs fituan 112-91 sfidën e parë në atë që është cilësuar si përballja më interesante e këtij raundi në playoff. (LajmeShqip.com)
Konferenca e Lindjes
Boston (7)-Nju Jork (2) 78-85
Çikago (5)-Bruklin (4) 89-106
Konferenca e Perëndimit
Golden Steit (6)-Denver (3) 95-97
Memfis (5)-LA Klipërs (4) 91-112
Sunday, 21 April 2013 09:18