Një paraqitje e shkëlqyer e Kevin Durant i ka dhënë mundësinë Oklahomas të fitojë me rezultatin 117-111 ndeshjen përballë LA Klipërs, duke i dhënë mundësinë nënkampionëve të NBA të rimarrin vendin e parë në Konferencën e Perëndimit.
Pikëshënuesi më i mirë i tre sezoneve të fundit ka realizuar 35 pikë, 6 topa në tabelë, 5 pasime dhe 5 vjedhje në këtë sfidë që është vendosur në kohën shtesë. Megjithatë, arma më e fortë e Oklahomas në këtë sfidë ka qenë mbulimi që i është bërë Bleik Grifin, duke e kufizuar yllin e LA Klipërs me 23 pikë dhe vetëm 6 topa në tabelë, pasi ai është gjendur vazhdimisht i rrethuar nga mbrojtësit shtatlartë të nënkampionëve që nuk e kanë lënë të shfaqë shpërthimet e tij të zakonshme në lojën ofensive.
Një disfatë ka regjistruar nata e mbrëmshme edhe për LA Leikërs, që janë mundur në fushën e Sakramentos pavarësisht 38 pikëve të Kobi Brajant. Kjo ishte humbja e parë e kalifornianëve që në momentin kur drejtimin e skuadrës e mori Majk D’Antoni.
Ndërkohë, kampionëve të Majemit u është dashur një ndeshje perfekte e treshes së saj për të fituar ndaj Miluoki në kohën shtesë. LeBron Xhejms ka shënuar 28 pikë, 10 topa në tabelë e 68 pasime, i ndihmuar nga Kris Bosh me 24 pikë e 18 topa në tabelë si dhe Duejn Uejd me 28 pikë, për të përmbysur një disavantazh prej 13 pikësh në minutat e fundit të këtij takimi dhe për ta çuar në kohën shtesë, ku ka mbizotëruar eksperienca e kampionëve të NBA. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Filadelfia-Kliveland 83-92
Detroit-Orlando 74-90
Nju Orlins-Indiana 107-115
Toronto-Sharlot 97-98
Miluoki-Majemi 106-113
San Antonio-Boston 112-100
LA Klipërs-Oklahoma 111-117
Uashington-Atlanta 100-101
Denver-Minesota 101-94
Çikago-Hjuston 89-93
Nju Jork-Dallas 111-114
Portland-Feniks 87-114
LA Leikërs-Sakramento 97-113
Bruklin-Golden Steit 93-102
Thursday, 22 November 2012 09:01