Një provë e shkëlqyer e Serxh Ibaka i ka mjaftuar Oklahomas për të marrë një fitore bindëse 107-93 ndaj San Antonios, duke regjistruar fitoren e 11-të radhazi në kampionat, një seri pozitive që i mungonte kësaj skuadre prej 16 vitesh.
Ibaka, një prej mbrojtësve më të mirë në NBA, shënoi 25 pikë e 17 topa në tabelë, duke treguar se mund të transformohet edhe në një armë ofensive për këtë skuadër që ka humbur shërbimet e Xhejms Harden. Spanjolli ishte arma më e fortë e Oklahomas në këtë sfidë kreu me teksanët, duke parë formën jo shumë të mirë që shfaqi Kevin Durant, i cili qëndroi shumë poshtë mesatares së tij me vetëm 19 pikë të shënuara.
Nëse Oklahoma ka arritur 11 fitore radhazi, serinë e dytë pozitive më të gjatë të sezonit e kanë siguruar LA Klipërs, që me fitoren në fushën e Detroit me rezultatin 88-76, kanë siguruar suksesin e 10-të radhazi. Kalifornianët kanë përfituar nga kjo seri pozitive dhe luhatjet e rezultateve të skuadrave të tjera për t’u ngjitur tashmë në vendin e dytë në renditjen e Konferencës së Perëndimit.
Ndërkohë, kryesuesit e Konferencës së Lindjes, Nju Jork, kanë përjetuar përsëri fenomenin “Lin”, por këtë radhë negativisht, pasi ish-lojtari i tyre që u transferua të Hjuston, i ka shkaktuar humbjen e parë në shtëpi. Hjuston dominoi në fushën e Nju Jork me rezultatin 109-96, ndërsa Lin ishte autor i 22 pikëve e 8 pasimeve, duke marrë një ndihmë të madhe nga Xhejms Harden, i cili shënoi 28 pikë e 10 topa në tabelë. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Minesota-Orlando 93-102
LA Klipërs-Detroit 88-76
Hjuston-Nju Jork 109-96
San Antonio-Oklahoma 93-107
Çikago-Memfis 71-80
Sakramento-Memfis 90-101
Tuesday, 18 December 2012 09:33