Oklahoma ka rifituar vendin e parë në Konferencën e Perëndimit pas fitores 116-97 ndaj Golden Steit, që i ka mundësuar parakalimin e San Antonios, që mbante këtë pozicion deri ditën e djeshme.
Finalistët e sezonit të kaluar nuk shqetësohen nga fakti që vendi i parë në Konferencë do të ndeshet me LA Leikërs në turin e parë të playoff, ndaj kanë dhënë maksimumin përballë Golden Steit. Sidomos Kevin Durant ka qenë shumë i frymëzuar, duke mbyllur ndeshjen me 31 pikë, 10 topa në tabelë dhe 8 pasime. Për Oklahoman, një lojtar vendimtar i stolit është kthyer edhe Kevin Martin, i cili në këtë sfidë realizoi 23 pikë.
Në Konferencën e Lindjes, Çikago ka fituar në kohën shtesë 118-111 ndaj Nju Jork duke ndalur në 13 serinë e fitoreve radhazi të këtyre të fundit. Neit Robinson shënoi 35 pikë për Çikagon duke shënuar 8 pikë në kohën shtesë, ndërsa Karmelo Entoni realizoi 36 pikë e 19 topa në tabelë, por pa arritur të shënonte koshin që do t’i jepte fitoren skuadrës së tij kur ndeshja ishte në fundin e kohës së rregullt. (LajmeShqip.com)
Përballjet e mundshme në playoff:
KONFERENCA E PERËNDIMIT
Oklahoma-LA Leikërs
San Antonio-Hjuston
Denver-Golden Steit
LA Klipërs-Memfis
KONFERENCA E LINDJES
Majemi-Miluoki
Nju Jork-Boston
Indiana-Atlanta
Bruklin-Çikago
Friday, 12 April 2013 10:27