Golden Steit është kthyer në një skuadër të frikshme për këdo, pasi nën drejtimin e Mark Xhekson po shkëlqen në këtë kampionat duke u treguar superiore në disa raste edhe ndaj ekipeve më të mëdha në NBA, siç ka ndodhur mbrëmë ndaj Oklahomas.
Kryesuesit e Konferencës së Perëndimit kanë regjistruar humbjen e 10-të sezonale pikërisht në fushën e Golden Steit, që ka fituar 104-99 falë një prove mjaft të mirë. Si zakonisht, protagonist kryesor në këtë skuadër ishte organizatori Stefen Karri, autor i 31 pikëve e 7 pasimeve në këtë sfidë. Një kontribut shumë të rëndësishëm dhanë edhe David Li me 22 pikë e 12 topa në tabelë, si dhe Karl Landri me 20 pikë e 7 pasime, ndonëse ky i fundit ishte zëvendësues dhe luajti vetëm 25 minuta. Në radhët e Oklahomas shkëlqeu i zakonshmi Kevin Durant me 33 pikë e 9 pasime, por ai gaboi pikërisht në momentet vendimtare të ndeshjes në minutën e fundit, kur la që Karri t’i vidhte topin gjatë aksionit që mund të sillte barazimin rezultatit.
Në ndeshjet e tjera bie në sy fitorja e vështirë 123-116 e Majemit ndaj Torontos në kohën shtesë. U desh një paraqitje e jashtëzakonshme e LeBron Xhejms me 31 pikë, 10 topa në tabelë dhe 11 pasime, si dhe 35 pikë nga Duejn Uejd, për të mundur skuadrën kanadeze e cikla është zgjuar në këtë pikë të sezonit duke dhënë paraqitje gjithnjë e më të mira edhe pse është ende shumë larg zonës së playoff në Konferencën e Lindjes që kryesohet pikërisht nga Majemi. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Atlanta-Sharlot 104-92
Toronto-Majemi 116-123
LA Leikërs-Memfis 93-106
Bruklin-Minesota 91-83
Detroit-Çikago 82-85
Denver-Hjuston 105-95
Nju Orlins-San Antonio 102-106
Uashington-Utah 88-92
Feniks-Sakramento 106-96
Indiana-Portland 80-100
Oklahoma-Golden Steit 99-104
Thursday, 24 January 2013 08:59