Çikago ka marrë një fitore shumë të vyer në fushën e Nju Jork me rezultatin 110-106, por ky rezultat është përcaktuar nga zënkat në fushë dhe përjashtimet e lojtarëve të të dy skuadrave.
Më keq e ka pësuar Nju Jork, pasi nga radhët e kësaj skuadre janë larguar Karmelo Entoni e Tajson Çendler, ndërsa edhe trajneri Majk Udson e ndoqi fundin e takimit nga dhomat e zhveshjeve pasi u largua edhe ai për protesta. Nga radhët e Çikagos, lojtari i larguar ishte Xhoakim Noah, i cili u zu me Çendler në periodën e katërt të ndeshjes.
Në këtë sfidë të mbushur me faulle dhe ndërhyrje të parregullta, lojtari më i mirë në fushën e lojës ishte Luol Deng, i cili kishte qetësinë e duhur për të realizuar 29 pikë e 13 topa në tabelë, i ndihmuar nga Marko Belineli me 22 pikë e 7 pasime.
Një rezultat domethënës është fitorja 97-85 e LA Klipërs përballë Sakramento, pasi skuadra kaliforniane arriti të regjistronte për herë të parë në histori 12 suksese radhazi në kampionat. Kris Pol shënoi 24 pikë e 13 pasime, ndërsa Bleik Grifin shtoi 21 pikë e 13 topa në tabelë, për të thyer rekordin e mëparshëm dhe për të treguar se LA Klipërs nuk janë më skuadra e cila në vitin 2000 përfundoi në faqen e parë të revistës “Sports Illustrated” me mbishkrimin “skuadra më e keqe në historinë e sportit”. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Atlanta-Filadelfia 80-99
Orlando-Toronto 90-93
Çikago-Nju Jork 110-106
Uashington-Detroit 68-100
Miluoki-Boston 99-94
Indiana-Kliveland 99-89
Dallas-Memfis 83-92
Nju Orlins-San Antonio 94-99
Sakramento-LA Klipërs 85-97
Sharlot-Golden Steit 100-115
Saturday, 22 December 2012 09:25