Kairi Irving, organizatori i Kliveland, ka dhuruar një paraqitje mbresëlënëse përballë Nju Jork, duke shënuar 41 pikë, por skuadra e tij përsëri është mundur në pallatin e sportit “MSG”, me diferencën e vetëm 1 pike.
Pa Karmelo Entoni, i lënë pushim për shkak të dëmtimit të marrë pak ditë më parë, Nju Jork nuk e ka patur shumë të lehtë përballë furisë së Irving që ka gjuajtur me saktësi thuajse nga çdo pozicion, duke treguar se dëmtimi në fytyrë dhe maska që mbante nuk e pengonin të ishte vdekjeprurës për mbrojtjen kundërshtare. Por paraqitjet e mira të Reimond Felton (25 pikë, 5 topa në tabelë, 7 pasime) e Tajson Çendler (23 pikë, 10 topa në tabelë), bënë që Nju Jork të fitonte këtë sfidë me diferencën e vetëm 1 pike, 103-102. Në fakt, takimi mund të shkonte drejt shtesës, por Anderson Varejao humbi një gjuajtje të lirë në sekondën e fundit të sfidës.
Fitore në natën e mbrëmshme kanë regjistruar ekipet e tjera të mëdha si Majemi, LA Klipërs dhe Memfis. Ndërkohë, San Antonio ka marrë fitoren e dytë të sezonit përballë Boston, ndonëse ky sukses është shoqëruar me lajmin e keq të dëmtimit të radhës së Manu Xhinobili. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Golden Steit-Atlanta 115-93
Orlando-Sharlot 107-98
Kliveland-Nju Jork 102-103
Indiana-Detroit 88-77
Uashington-Majemi 72-102
Dallas-Minesota 106-114
Bruklin-Çikago 82-83
Boston-San Antonio 88-103
LA Klipërs-Miluoki 111-85
Memfis-Utah 99-86
Sunday, 16 December 2012 09:44