Karmelo Entoni ka shkëlqyer në ndeshjen kundër Bruklin, duke ndihmuar Nju Jork për të fituar këtë sfidë brenda qytetit me rezultatin 100-97, në një përballje të luftuar deri në sekondat e fundit.
Ylli i Nju Jork ka shënuar 45 pikë në këtë ndeshje, duke realizuar ndër të tjera 5 gjuajtje për 3 pikë dhe 10 nga 11 gjuajtjet e lira të fituara në këtë sfidë. Nëse Nju Jork vazhdon të kryesojë Konferencën e Lindjes, Bruklin ka çuar në 6 numrin e humbjeve radhazi dhe tashmë duket se është hija e vetvetes, në krahasim me fillimin shumë të mirë të sezonit.
Një tjetër ndeshje e veçantë ka qenë ajo mes Kliveland dhe LA Leikërs, ku këta të fundit janë mundur përsëri. Ndonëse kundërshtarët e radhës të kalifornianëve cilësohen ndër skuadrat më të dobëta të këtij sezoni, LA Leikërs aktualisht nuk arrijnë të fitojnë ndaj askujt, ndonëse kanë në gjirin e tyre dy prej lojtarëve më të mirë në botë për momentin, Kobi Brajant dhe Duajt Hauard. I pari shënoi 42 pikë, ndërsa i dyti shtoi 19 pikë e 20 topa në tabelë. Por edhe këto shifra të frikshme nuk mjaftuan për t’i sjellë një rezultat pozitiv skuadrës së drejtuar nga Majk D’Antoni, i cili nuk ka sjellë ende rezultatet që priteshin. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Nju Jork-Bruklin 100-97
LA Leikërs-Kliveland 94-100
Denver-Detroit 101-94
Uashington-Nju Orlins 77-70
LA Klipërs-Çikago 94-89
Wednesday, 12 December 2012 09:55