Nju Jork ka filluar të humbasë terren në krahasim me Majemin në pretendimet për të kryesuar Konferencën e Lindjes, pasi ka humbur 5 nga 10 ndeshjet e fundit të zhvilluara. Disfata e radhës për ekipin e drejtuar nga Majk Udson ishte në fushën e Filadelfias, ku njujorkezët janë mundur me rezultatin 97-80.
Xhru Hollidei shënoi 35 pikë, Nik Jang shtoi 20 të tjera dhe Filadelfia nuk shfaqi asnjëherë vështirësi në lojën e saj përballë një prej skuadrave më të mira të Konferencës së Lindjes. Në radhët e Nju Jorkut, vetëm Karmelo Entoni u shfaq në nivelin e kërkuar me 25 pikë e 9 topa në tabelë, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës dhuroi një paraqitje shumë të dobët, sidomos në realizimin e gjuajtjeve nga fusha duke qëndruar poshtë 35% në saktësinë e tyre.
Ndërkohë, vazhdon seria negative prej 4 humbjesh e LA Klipërs, që këtë radhë janë mundur në fushën e Portland me rezultatin 101-100. Nikolas Batum shënoi 20 pikë, 10 topa në tabelë dhe 12 pasime, duke realizuar për herë të dytë brenda kësaj jave një dyshifror të trefishtë në statistikat e ndeshjes, për t’i dhënë pak shpresë Portland që vazhdon të luftojë për një vend në playoff, edhe pse aktualisht është jashtë tij. Në radhët e LA Klipërs vazhdon të mungojë Kris Pol, i cili ka dëmtuar gjurin e djathtë dhe kjo ka penalizuar ndjeshëm ofensivën e skuadrës kaliforniane. Bleik Grifin u mundua të mbante skuadrën e tij në lojë me 24 pikë, 10 pasime e 8 topa në tabelë, por mbrojtja e Portland e neutralizoi në minutat e fundit duke arritur të marrë këtë sukses të rëndësishëm. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Çikago-Uashington 73-86
Kliveland-Toronto 99-98
Nju Jork-Filadelfia 80-97
Minesota-Sharlot 101-102
Bruklin-Hjuston 106-119
Feniks-San Antonio 99-108
Golden Steit-Miluoki 102-109
Sakramento-Denver 93-121
Indiana-Utah 110-114
LA Klipërs-Portland 100-101
Sunday, 27 January 2013 09:52