Stiv Nesh ka shkruar emrin e tij në librin e historisë së basketbollit, duke u bërë lojtari i pestë që regjistron kuotën e 10 mijë pasimeve për kosh në NBA, pas Xhon Stokton, Xhezon Kid, Mexhik Xhonson dhe Mark Xhekson. Por as ky rekord i tij nuk ka ndihmuar LA Leikërs të kalojnë Hjuston.
Skuadra e vendase, e udhëhequr nga Xhejms Harden me 31 pikë, 6 topa në tabelë dhe 9 pasime, nuk e ka pasur shumë të vështirë të mposhtë 125-112 kalifornianët të cilëve u mungonin Duajt Hauard e Pau Gasol për shkak dëmtimesh. Uorld Pis shënoi 24 pikë dhe Kobi Brajant shtoi 20 të tjera, por LA Leikërs vazhdojnë të jenë shumë larg kreut dhe për momentin edhe larg zonës së play-off, në një nga sezonet e rralla ku ata regjistrojnë një bilanc negativ, me 15 fitore e 19 humbje deri tani.
Një humbje mjaft domethënëse ka qenë ajo e Majemit, që është mundur në fushën e Indiana me rezultatin 87-77. 22 vjeçari Pol Xhorxh, ishte protagonisti i ndeshjes, me 29 pikë e 11 topa në tabelë, duke arritur njëkohësisht të mbulojë mjaft mirë LeBron Xhejms, i cili u kufizua me vetëm 22 pikë e 10 topa në tabelë. Ndonëse Duejn Uejd shënoi 30 pikë në këtë sfidë, kjo nuk i mjaftoi kampionëve në fuqi që të fitonin këtë ndeshje ndaj një prej pretendentëve për titull në Konferencën e Lindjes. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Bruklin-Filadelfia 109-89
Majemi-Indiana 77-87
Feniks-Miluoki 99-108
Atlanta-Minesota 103-108
LA Leikërs-Hjuston 112-125
Wednesday, 09 January 2013 09:28