Një gjuajtje e Bredli Bil kur kishin mbetur vetëm 0.3 sekonda nga koha e rregullt i ka dhënë një sukses të papritur 101-99 skuadrës së Uashington përballë Oklahomas.
Ekipi më i dobët i Konferencës së Lindjes, ndonëse nuk kishte në përbërjen e vet dy elementët më cilësorë, Xhon Uoll dhe Nene, arriti gjithsesi të shfaqej në lartësinë e finalistëve të sezonit të kaluar në NBA, të udhëhequr pikërisht nga Bil, i cili shënoi 22 pikë në këtë takim. Në radhët e Oklahomas, Kevin Durant shënoi 29 pikë, 7 topa në tabelë dhe 8 pasime, Rasëll Uestbruk shtoi 17 pikë e 8 pasime, ndërsa Serzh Ibaka shtoi 26 pikë e 11 topa në tabelë. Por as këto paraqitje nuk mjaftuan që Oklahoma të merrte fitoren në këtë sfidë ndaj skuadrës që ironikisht ka regjistruar fitore edhe ndaj Majemit në këtë sezon.
Një humbje tjetër e papritur ka qenë ajo e San Antonios në fushën e Nju Orlins. Erik Gordon shënoi 24 pikë për vendasit, të cilën ishin të suksesshëm në lojën e tyre falë edhe mbulimit të mirë që i bënë tre “veteranëve” të skuadrës teksane, pasi vetëm Xhinobili kaloi kuotën e 20 pikëve të shënuara në këtë sfidë.
Edhe Boston ka bërë surprizën, duke mundur Nju Jork në “Medison Skuer Garden”. Në një ndeshje ku nuk munguan përplasjet fizike dhe polemikat në fushë e jashtë saj, me Karmelo Entonin që pas takimit shkoi në dhomat e zhveshjeve të Boston për t’u përballur me Kevin Garnet, heroi i takimit ishte Pol Pirs me 23 pikë të shënuara. Kevin Garnet regjistroi 19 pikë e 10 topa në tabelë, por merita e tij më e madhe është se kufizoi në vetëm 20 pikë Karmelo Entonin, i cili është një nga pikëshënuesit më të mirë në NBA në këtë sezon. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Oklahoma-Uashington 99-101
Boston-Nju Jork 102-96
San Antonio-Nju Orlins 88-95
Kliveland-Çikago 92-118
Dallas-Utah 94-100
Memfis-Sakramento 113-81
Orlando-Portland 119-125
Tuesday, 08 January 2013 09:16