Seria e fitoreve radhazi të Oklahomas është ndalur në shifrën 12, pasi kryesuesit e Konferencës së Perëndimit janë mundur në Minesota nga vendasit, që duket se kanë gjetur shkëlqimin që u mungonte pasi në skuadër janë kthyer elementë të rëndësishëm që kanë lënë pas dëmtimet e tyre.
J. J. Barea ishte i jashtëzakonshëm me lojën e tij si zëvendësues, duke shënuar 18 pikë, kryesisht në periodën e fundit, ku ishte i pakapshëm për mbrojtjen kundërshtare. Si gjithmonë, kontribuuesi më i madh për pikë të shënuara i Minesotas ishte Kevin Lëv, që regjistroi 28 pikë, 11 topa në tabelë e 7 pasime, për të ndihmuar ekipin e tij të marrë këtë fitore të rëndësishme më shumë për moralin sesa për renditjen. Nga Oklahoma, Kevin Durant shënoi 33 pikë dhe Rasëll Uestbruk shtoi 30 të tjera.
Ndërkohë, Majemi vazhdon serinë e fitoreve ndaj Dallas, skuadrës që e mundi në finalen e vitit 2011. Këtë radhë, dominimi i ekipit të Floridës ka qenë aq i dukshëm, sa në periodën e tretë, diferenca mes dy skuadrave shkoi deri në 36 pikë. LeBron Xhejms shënoi 24 pikë e 9 topa në tabelë, duke luajtur vetëm 30 minuta, pasi trajneri Spoelstra i dha mundësinë të gjithë zëvendësuesve të zbritnin në fushë në minutat fundit të kësaj sfide duke i dhënë pak pushim yjeve të skuadrës. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Oklahoma-Minesota 93-99
Majemi-Dallas 110-95
Denver-Portland 93-101
Friday, 21 December 2012 09:58