Memfis ka arritur të bëjë surprizën duke vjedhur faktorin fushë ndaj Oklahomas në sfidën e dytë mes dy skuadrave. Në takimin e luajtur në fushën e skuadrës më të mirë të këtij sezoni në Konferencën e Perëndimit, Memfis ka bërë gjithçka mirë, duke arritur të qëndrojë në garë deri në minutat e fundit, për të realizuar më pas parakalimin që i dha suksesin 99-93 dhe barazoi serinë në 1-1.
Majk Konli ishte protagonisti absolut i sfidës me 26 pikë, 10 topa në tabelë dhe 9 pasime, ndërsa shënoi pikët që shkëputën ekipin e tij drejt fitores në fund të ndeshjes. Një tjetër paraqitje e shkëlqyer ishte ajo e Mark Gasol, që realizoi 24 pikë, por sidomos bëri një lojë fantastike mbrojtëse ndaj Oklahomas ku vetëm Kevin Durant ishte në formë, duke shënuar 36 pikë, 11 topa në tabelë e 9 pasime. Por edhe ylli i Oklahomas u dorëzua në minutat e fundit, duke gabuar tre gjuajtje radhazi që i kushtuan fitoren skuadrës së tij.
Në Konferencën e Lindjes, Nju Jork është zgjuar duke marrë fitoren ndaj Indianas dhe duke barazuar serinë në 1-1. Karmelo Entoni gjeti edhe një herë saktësinë në gjuajtjet e tij, duke mbyllur ndeshjen me 32 pikë e 9 topa në tabelë, por ishte mbrojtja ajo që bëri përsëri diferencën, sidomos në periodën e tretë dhe të katërt ku Nju Jork realizoi një parcial 30-2. Tani seria zhvendoset në Indiana, ku Nju Jork është i detyruar medoemos të fitojë një sfidë për të kthyer përsëri përballjen në favorin e vet. (LajmeShqip.com)
PLAYOFF
Konferenca e Lindjes
Indiana-Nju Jork 79-105 (1-1)
Konferenca e Perëndimit
Memfis-Oklahoma 99-93 (1-1)
Wednesday, 08 May 2013 11:43