Ish-kapiteni i Gjermanisë, Lotar Mateus, mendon se mesfushorët e Barcelonës, Andres Iniesta dhe Ksavi Hernandez, janë personat që e meritojnë më shumë fitoren e “Topit të Artë”.
Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi pritet të jenë përsëri dy kandidatët kryesorë për fitoren e trofeut, falë formës së tyre të jashtëzakonshme para portës në vitin e fundit, por gjermani beson se fakti që ata nuk kanë shkëlqyer në të njëjtën mënyrë me kombëtaren, tregon se nuk e meritojnë këtë çmim plotësisht.
“Sipas mendimit tim, ka aktualisht shumë futbollistë të ndryshëm të cilët mund ta fitojnë lehtësisht trofeun e “Topit të Artë”, por mendoj se duhet të jetë një spanjoll që e fiton atë. Të preferuarit e mi janë Ksavi dhe Iniesta. Ndoshta ata nuk shkëlqejnë aq shumë sa Ronaldo e Mesi pasi nuk shënojnë shpesh, por ata kanë fituar trofe të njëpasnjëshëm si me kombëtaren, ashtu edhe me klubin”.
“Ata janë njëlloj si me kombëtare, ashtu edhe me Barcelonën, duke komanduar skuadrën në fushën e lojës, siç e treguan gjatë Euro 2012. Sigurisht, Mesi dhe Ronaldo na çuditën të gjithëve në vitin e kaluar me klubet e tyre, duke vendosur rekorde të pabesueshme me sasinë e golave që shënuan. Megjithatë, ata nuk arritën ta përsëritnin të njëjtën formë në nivelin ndërkombëtar”, deklaroi Mateus.
Lionel Mesi fitoi edicionin e vitit të kaluar, para Kristiano Ronaldo dhe shokut të skuadrës te Barcelona, Ksavi Hernandez. (LajmeShqip.com)
Thursday, 08 November 2012 14:40