Trajneri i përfaqësueses shqiptare të futbollit, Xhani De Biasi, ka përzgjedhur Lionel Mesin si të preferuarin e tij në votimet për “Topin e Artë”, duke i dhënë argjentinasit 5 pikët e vendit të parë.
Tekniku i përfaqësueses kuqezi, më pas ka dhënë 3 pikët e vendit të dytë për portugezin Kristiano Ronaldo, ndërsa nuk ka arritur të parashikojë saktësisht të tretin, edhe pse vota e tij ka qenë për një mesfushor spanjoll të Barcelonës. Në fakt, De Biasi i ka dhënë votën e vendit të tretë mesfushorit Ksavi Hernandez, i cili përfundoi i katërti në këtë votim, pas Andres Iniesta që plotësoi podiumin.
Ndërkohë, Lorik Cana, me votimin e tij si kapiten i përfaqësueses, ka rritur të gjejë të tre finalistët, ndonëse ka gabuar disi radhën. Votat për vendin e parë ai ia ka dhënë Kristiano Ronaldos, me të cilin është ndeshur si kundërshtar në ndeshjet historike kundër Portugalisë në eliminatoret e Botërorit 2010. Vendi i dytë i ka shkuar Lionel Mesit, ndërsa vendi i tretë ka qenë për Andres Iniesta.
Edhe përfaqësuesi shqiptar i medias në këto votime, gazetari Besnik Dizdari, ka gjetur treshen finaliste, por pas Mesit, në vendin e dytë ka vendosur preferencën për Iniesta, ndërsa ka përzgjedhur të tretin Kristiano Ronaldon.
Interesante janë përzgjedhjet e De Biasit dhe Canës përsa i përket votimit për trajnerin më të mirë, pasi të dy kanë preferuar që të bazohen te futbolli i klubeve dhe jo te futbolli i kombëtareve, ndonëse gjatë vitit 2012 u zhvillua Kampionati Evropiani.
De Biasi ka zgjedhur bashkëkombësin e tij, Roberto Di Mateo në vendin e parë, duke vlerësuar punën që bëri me Çelsin, duke fituar Ligën e Kampioneve. Pas tij ai votoi për Jup Heinkes të Bajern Mynih, tjetër finalist i Ligës së Kampioneve në edicionin e kaluar dhe vendin e tretë ia dha Pep Guardiolës.
Ndërsa Cana ka përzgjedhur trajnerin e Borusia Dortmund, Jurgen Klop, në vendin e parë, me Zhoze Murinjon në vendin e dytë dhe Roberto Di Mateon në vendin e tretë.
I vetmi që ka votuar për fituesin e këtij edicioni ishte gazetari Dizdari, i cili në vend të parë ka vënë Vicente Del Boske, të ndjekur nga Roberto Di Mateo dhe Çezare Prandeli. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 08 January 2013 09:22