Iker Kasijas ka zgjedhur diplomacinë për t’i përgjigjur pyetjes rreth atij që mendon se është trajneri më i mirë i vitit 2012, ku në garë nga FIFA janë vendosur përballë njëri-tjetrit Visente Del Boske dhe Zhoze Murinjo. Sipas portierit të Spanjës dhe Real Madrid, është e pamundur të japë një mendim për këta dy trajnerë që i kanë dhënë mundësinë të fitojë trofe të rëndësishëm në këtë vit.
“Do të doja që “Topin e Artë” për trajnerë ta merrte si Murinjo, ashtu edhe Del Boske, pasi i vlerësoj shumë që të dy këta trajnerë. Nuk mund të zgjedh njërin. Mendoj se Visente ka shumë merita për punën e tij, por edhe Murinjo gjithashtu”, u shpreh Kasijas në një intervistë të dhënë për “La Sexta”
Më pas, Kasijas ka përsëritur se roli i portierit vlerësohet shumë pak dhe meriton më tepër vëmendje, jo si tani që nuk merret në konsideratë për çmimet e rëndësishme individuale.
“Puna e portierit është shumë e mirë dhe e rëndësishme brenda një skuadre futbolli. Nuk e kam fjalën vetëm për veten. Ka portierë shumë të mëdhenj, merita e të cilëve nuk është njohur kurrë”, deklaroi kapiteni i Spanjës dhe Real Madrid. (LajmeShqip.com)
Saturday, 15 December 2012 11:32