Kristiano Ronaldo ka deklaruar se nuk do të dëshpërohet nëse nuk fiton “Topin e Artë” në këtë sezon. Çmimi për lojtarin më të mirë të vitit do të shpallet në janar, ndërsa futbollisti portugez i Real Madrid ka si rivalë dy lojtarët e Barcelonës, Lionel Mesin dhe Andres Iniestan.
Megjithëse Ronaldo ka pranuar se do të dëshironte të fitonte këtë trofe, ai mendon se trofetë e skuadrës janë më të rëndësishëm se trofetë individualë.
“Sigurisht që do të dëshiroja të fitoja këtë trofe, nuk dua të shfaqem hipokrit dhe gënjeshtar. Ky është një trofe që e aspiroj, por nuk mendoj se do të jetë fundi i botës nëse nuk ia dal mbanë”, ishte deklarata e tij në faqen zyrtare të internetit të Federatës Portugeze të Futbollit.
“Unë mund të jetoj pa një çmim individual, ndonëse do të ishte e padrejtë. Karriera e një futbollisti dallohet nga trofetë kolektivë, jo ato individualë”.
Lojtari ka pranuar se ndjen më shumë emocione kur luan me kombëtaren portugeze sesa kur luan me klubin e tij.
“Është diçka të luash për klubin tënd dhe krejtësisht diçka tjetër kur luan me kombëtaren, janë ndjesi krejtësisht të ndryshme. Është e vërtetë që pasioni për të fituar dhe konkurruar është e njëjtë, por ka më shumë emocione të përfshira kur luan për vendin tënd”, tha Kristiano Ronaldo. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 19 December 2012 19:56