Majemi ka arritur të fitojë në Kliveland vetëm me lojtarët rezervë, duke lënë pushim të gjithë lojtarët titullarë, për t’i pasur sa më të çlodhur para fillimit të playoff. LeBron Xhejms, Kris Bosh dhe Mario Çallmers qëndruan në stol pa u aktivizuar gjatë të gjithë ndeshjes, ndërsa Duejn Uejd, Shein Batier dhe Udonis Haslem, as që kishin udhëtuar për këtë sfidë që Majemi e fitoi me rezultatin 96-95.
Gjithçka u vendos në minutën e fundit nga organizatori i kampionëve në fuqi, Norris Kol, i cili i vodhi topin yllit të Kliveland, Kairi Irving, për të mos i dhënë mundësinë këtij të fundit të tentonte një gjuajtje për fitoren. Kol e mbylli ndeshjen me 16 pikë, 11 topa në tabelë dhe 9 pasime.
Në Konferencën e Perëndimit, Oklahoma siguroi përfundimisht vendin e parë dhe avantazhin e fushës në playoff pas fitores 104-95 ndaj Sakramentos. Kevin Durant ishte protagonisti i mbrëmjes duke shënuar 29 pikë në këtë sfidë që i dha skuadrës këtë arritje shuam të rëndësishme në historinë e saj. Tashmë e vetmja gjë që ka mbetur për t’u përcaktuar në dy ditët e fundit të sezonit të rregullt në NBA, është nëse në playoff si skuadra e 8-të në Konferencën e Perëndimit do të shkojë LA Leikërs apo Utah. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Nju Jork-Sharlot 95-106
Majemi-Kliveland 96-95
Çikago-Orlando 102-84
Filadelfia-Detroit 101-109
Uashington-Bruklin 101-106
Memfis-Dallas 103-97
Utah-Minesota 96-80
Sakramento-Oklahoma 95-104
Denver-Miluoki 112-111
Hjuston-Feniks 112-119
San Antonio-Golden Steit 106-116
Tuesday, 16 April 2013 09:51