Majemi ka treguar se humbja në ndeshjen e parë të serisë ishte thjesht një incident, pasi ka arritur të fitojë ndeshjen e dytë radhazi në fushën e Çikgos, për të përmbysur tani rezultatin e kësaj serie në 3-1 dhe duke qenë vetëm një fitore larg finales në Konferencën e Lindjes.
Suksesi 88-65 ka qenë meritë e një loje të shkëlqyer në mbrojtje, duke i lënë shumë pak hapësira Çikagos, në atë që ishte ndeshja më e dobët në playoff në historinë e kësaj skuadre. LeBron Xhejms e mbylli ndeshjen me 27 pikë, 7 topa në tabelë dhe 8 pasime, ndërsa Majemi nuk u shqetësua as nga paraqitja e dobët e radhës e Duejn Uejd, i cili shënoi vetëm 6 pikë në këtë sfidë, i penguar përsëri nga dëmtimi në gju që po e shqetëson dhe nuk e lejon të shprehet në maksimum.
Në Konferencën e Perëndimit, sfida mes Memfis dhe Oklahomas po shkon gjithnjë e më shumë në favor të të parëve, të cilët kanë çuar serinë në 3-1 pas suksesit në kohën shtesë me rezultatin 103-97. Oklahoma duket se nuk ka forcën të fitojë përballë Memfis, pasi edhe Kevin Durant ka dhënë shenjat e para të dorëzimit. Ylli i kampionëve në fuqi të Konferencës së Perëndimit shënoi 27 pikë, 7 topa në tabelë dhe 7 pasime, por gaboi të 5 gjuajtjet e tij në kohën shtesë të ndeshjes, duke i dhënë mundësinë Memfis të merrte këtë fitore. Në radhët e kësaj skuadre shkëlqeu treshja e zakonshme Majk Konli (24 pikë), Zak Randolf (23 pikë, 12 topa në tabelë) dhe Mark Gasol (23 pikë, 11 topa në tabelë) që dominuan plotësisht këtë sfidë dhe i dhanë suksesin e 7-të në 8 ndeshjet e fundit skuadrës së tyre. (LajmeShqip.com)
PLAYOFF
Konferenca e Lindjes
Majemi-Çikago 88-65 (3-1)
Konferenca e Perëndimit
Oklahoma-Memfis 97-103 (1-3)
Tuesday, 14 May 2013 08:33