Majemi ka dhënë një tjetër provë force në NBA duke mundur kryesuesit e Konferencës së Perëndimit, San Antonion, edhe pse në fushë nuk kanë qenë 3 nga lojtarët titullarë të kampionëve në fuqi. LeBron Xhejms, Duejn Uejd dhe Mario Çallmers kanë ndjekur takimin nga dhomat e zhveshjeve, pasi të tre kanë preferuar të pushojnë për të rikuperuar nga dëmtimet. Por kjo nuk ka penguar Majemin të fitojë me rezultatin 88-86 në këtë sfidë.
Heroi i ndeshjes ishte Kris Bosh, pjesëtari më pak i njohur i “Treshes”, i cili shënoi 23 pikë e 9 topa në tabelë në këtë sfidë, duke përfshirë edhe gjuajtjen për 3 pikë në sekondat e fundit që i dha suksesin skuadrës së tij. Në ndryshim nga ndeshjet e mëparshme ndaj skuadrave të mëdha, Majemi vendosi të përqendronte gjithçka te mbrojtja, duke ia arritur me sukses të ndalonte ofensivën e San Antonios ku realizuesit më të mirë ishin Tim Dankan dhe Kauhi Leonard me nga 17 pikë.
Vendin e dytë në Konferencën e Lindjes e ka rimarrë përsëri Nju Jork, që me fitoren 108-89 ndaj Boston e ka çuar në 8 numrin e sukseseve radhazi. Prova e vërtetë e kësaj skuadre, për të treguar a është pretendente e mirëfilltë për titull apo jo, vjen të martën, kur do të vihet përballë Majemit, kampionëve në fuqi të NBA dhe kandidatë kryesorë për të rifituar këtë titull. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Toronto-Uashington 92-109
Kliveland-Nju Orlins 92-112
Detroit-Çikago 94-95
Majemi-San Antonio 88-86
Boston-Nju Jork 89-108
Monday, 01 April 2013 10:19