LeBron Xhejms nuk resht së mahnituri me mënyrën se si përshtatet pa asnjë lloj problemi në cilindo rol në fushën e lojës. Në fitoren e mbrëmshme 114-96 që i dha përsëri Majemit kontrollin e serisë ndaj Indiana, ylli i skuadrës së Floridas luajti si qendër e mirëfilltë, duke ndihmuar skuadrën e tij të merrte këtë sukses në fushën kundërshtare që çoi serinë në 2-1 për kampionët në fuqi.
Xhejms shënoi vetëm 22 pikë e 4 topa në tabelë, por saktësia e tij gjatë lojës bëri që Indiana t’i kushtonte atij shumë vëmendje, duke lënë të hapur me radhë thuajse të gjithë lojtarët e tjerë të Majemit. Si rrjedhojë, të 5 titullarët e Majemit shënuan mbi 14 pikë, ndërsa në total, skuadra e Floridas kishte një saktësi prej 54% në gjuajtjet nga fusha dhe 85% në gjuajtjet e lira.
Indianas, që dominoi në ndeshjen e kaluar në fushën e Majemit, nuk i shërbeu as paraqitja e mirë e Roi Hibert (20 pikë, 17 topa në tabelë) dhe David Uest (21 pikë, 10 topa në tabelë), pasi shpesh nuk kishte përgjigje ndaj lehtësisë me të cilën lojtarët e Majemit shkonin drejt koshit, të ndihmuar nga lëvizshmëria e Xhejms që praktikisht shkatërroi i vetëm të gjithë sistemin e mbrojtjes të vendasve. (LajmeShqip.com)
Monday, 27 May 2013 10:42