Majemi ka regjistruar mbrëmë fitoren e 14-të radhazi në NBA duke barazuar rekordin e historisë së kësaj skuadre me suksesin 99-93 përballë Nju Jork, duke treguar njëkohësisht se të paktën në Konferencën e Lindjes nuk ka rivalë. Në një ndeshje përballë skuadrës që në këtë sezon e kishte mundur dy herë dhe në të dy rastet me të paktën 20 pikë diferencë, kampionët e NBA kanë treguar se tani i kanë marrë gjërat shumë seriozisht dhe po mendojnë si të mbyllin sa më mirë sezonin e rregullt.
LeBron Xhejms ishte përsëri pandalshëm me 29 pikë, 11 topa në tabelë e 7 pasime, duke qenë protagonisti i takimit me lojën e tij si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. Para një paraqitje të tillë nuk mjaftuan as 32 pikët e shënuara nga Karmelo Entoni, i cili shpesh u detyrua të dorëzohej para aftësive të “Mbretit” Xhejms që e mbulonte herë pas here duke mos e lënë të kryente gjuajtje të lehta.
Narta e mbrëmshme ka qenë e shkëlqyer edhe për LA Leikërs, që kanë fituar mes drithërimave me rezultatin 99-98 ndaj Atlantas për të kthyer përsëri bilancin e tyre në ekuilibër me 30 fitore e 30 humbje në këtë sezon. Kobi Brajant dha një spektakël të jashtëzakonshëm si në kohët e tij më të mira me 34 pikë, ndër të cilat disa zhytje që treguan se ai nuk ka harruar si të dominojë në tabelë, por thjesht i ka lënë vendin momentalisht lojtarëve të tjerë në skemat e trajnerit Majk D’Antoni. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Majemi-Nju Jork 99-93
Oklahoma-LA Klipërs 108-104
Memfis-Orlando 108-82
Sharlot-Sakramento 83-119
Filadelfia-Uashington 87-90
Detroit-San Antonio 75-114
Dallas-Hjuston 103-136
Çikago-Indiana 92-97
Atlanta-LA Leikërs 98-99
Monday, 04 March 2013 10:23