Kampionët e NBA të Majemit kanë djersitur shumë për të marrë një fitore në ndeshjen kundër Kliveland, e cila lëshoi pe vetëm në minutat e fundit të sfidës.
Takimi dukej thuajse i mbyllur, pasi Kliveland kishte udhëhequr në të gjithë ndeshjen falë një paraqitje të shkëlqyer skuadre dhe kur kishin mbetur më pak se dy minuta, kishte një avantazh prej 7 pikësh. Por në ato momente, Majemi ka marrë situatën në dorë dhe falë talentit të emrave si Xhejms, Uejd e Alen, ka arritur të përmbysë rezultatin dhe të fitojë me 2 pikë diferencë këtë sfidë.
LeBron Xhejms e mbylli ndeshjen me 30 pikë, 6 topa në tabelë e 5 pasime, ndërsa ka çuar në 7-1 bilancin e tij ndaj ish-skuadrës, me të cilën nuk u nda aspak miqësisht dy sezone më parë, kur vendosi të largohej drejt Majemit.
Fitore të rëndësishme në transfertë kanë arritur në Konferencën e Perëndimit Oklahoma dhe LA Leikërs, të cilët fituan respektivisht ndaj Filadelfia dhe Dallas, ndërsa LA Klipërs janë mundur në fushën e Atlanta. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Oklahoma-Filadelfia 116-109
Sharlot-Uashington 108-106
LA Klipërs-Atlanta 93-104
Kliveland-Majemi 108-110
LA Leikërs-Dallas 115-89
Çikago-Miluoki 93-86
Utah-Sakramento 97-108
Minesota-Golden Steit 85-96
Sunday, 25 November 2012 10:53