Sa herë që Majemi gjendet në telashe, LeBron Xhejms shfaqet me një zgjidhje. Ylli i kampionëve në fuqi të NBA ka qenë i pandalshëm në takimin e 5-të ndaj Indianas në finalen e Konferencës së Lindjes, të fituar me rezultatin 90-79 nga Majemi, për t’u kthyer në avantazh në këtë seri me rezultatin 3-2.
Në fakt, Indiana po kontrollonte ndeshjen në fushën e Majemit deri në periodën e tretë, atëherë kur Xhejms dhuroi një nga paraqitjet e tij me spektakolare të sezonit, duke shënuar 16 pikë në këtë pjesë loje dhe duke qenë protagonist edhe në 9 pikë të tjera për skuadrën e tij që me një parcial 30-10 arriti të kthente plotësisht ndeshjen në favorin e vet. Xhejms e mbylli takimin me 30 pikë, 8 topa në tabelë e 6 pasime, ndërsa këtë radhë kishte edhe ndihmën e Uejd, Çallmers e Haslem, të cilët kaluan kuotën e 10 pikëve të realizuara në këtë ndeshje për të ndihmuar në fazën ofensive.
Nga ana tjetër, Indianas nuk i mjaftoi paraqitje e mirë e Pol Xhorxh (27 pikë, 11 topa në tabelë) Roi Hibert (22 Pikë) dhe David Uest (17 pikë, 8 topa në tabelë), pasi pjesa tjetër e ekipit thuajse nuk kontribuoi në lojën ofensive, me 6 lojtarë që së bashku shënuan vetëm 13 pikë. (LajmeShqip.com)
Friday, 31 May 2013 08:43