LeBron Xhejms vazhdon të mahnitë me paraqitjet e tij me një tjetër provë spektakolare, përballë një prej skuadrave më në formë të NBA në këtë sezon, Oklahomas. Kampionët dhe nënkampionët e NBA janë ndeshur në një tjetër takim ku priteshin shumë emocione, por në fakt Majemi ka dalë fitimtare nga kjo sfidë në fushën kundërshtare falë lojës së yllit të saj.
Xhejms ishte autor i 39 pikëve, të shoqëruara nga 12 topa në tabelë dhe 7 pasime. Ndonëse seria e tij rekord prej 30+ pikësh dhe 60% saktësi realizimi nga fusha u ndërpre në këtë sfidë (realizoi vetëm në 58%), ai ishte padyshim lojtari më i mirë në fushën e lojës duke lënë në hije edhe idhullin e skuadrës vendase, Kevin Durant. Ky i fundit shënoi 40 pikë e 8 topa në tabelë, ndërsa gjatë gjithë ndeshjes provoi pa sukses të mbronte Xhejms, i cili realizoi edhe gjuajtje thuajse të pamundura për çdo basketbollist normal.
Sfida tjetër e natës ishte “derbi” i Los Anxhelos mes Leikërs dhe Klipërs, me këta të fundit që kanë fituar edhe këtë takim që teorikisht luhej në fushën e kundërshtare, duke çuar në 3 numrin e sukseseve në këtë sezon ndaj rivalëve të qytetit. Kris Pol e mbylli natën me 24 pikë e 13 pasime, Bleik Grifin shënoi 18 nga 22 pikët e tij në një periodë të parë spektakolare ndërsa Çonsi Billaps e mbylli ndeshjen me 21 pikë, mes të cilave ishin 5 gjuajtje për tre pikë. Kjo ishte hera e parë pas 20 vitesh që LA Klipërs arrijnë të kenë një bilanc më të mirë sezonal në “derbi” se rivalët e LA Leikërs, të cilët shkojnë në pushimin e “All Star Game” duke mbajtur vendin e 10-të në Konferencën e Perëndimit. (LajmeShqip.com)
Friday, 15 February 2013 09:53