LeBron Xhejms vazhdon t’i qëndrojë idesë se për t’u bërë lojtari më i mirë i të gjitha kohëve në NBA, duhet të mundë më të mirët dhe përballë një prej tyre, Kobi Brajant, ai ka dhënë një provë të shkëlqyer. Në fitoren 107-97 të Majemit ndaj LA Leikërs, Xhejms shënoi 32 pikë, duke kaluar kuotën 30 për ndeshjen e pestë radhazi, një rekord i ri për skuadrën e tij.
MVP i sezonit të kaluar tregoi përballë një prej lojtarëve më të mirë të historisë së NBA të gjithë arsenalin e tij me zhytje spektakolare, pasime e lojë në mbrojtje. Ndërsa Kobi Brajant nga ana tjetër u detyrua të kënaqej me 28 pikë, 6 topa në tabelë e 9 pasime, ndërsa tani është kthyer në një organizator të mirëfilltë në radhët e kalifornianëve, me shpresën se do të ndihmojë këtë skuadër të arrijë të paktën në play-off.
Ekipi tjetër kalifornian, LA Klipërs, i ka dhënë fund serisë negative me një ndeshje të jashtëzakonshme ndaj Nju Jork në fushën e këtyre të fundit, falë fitores 102-88. Ndonëse Karmelo Entoni shënoi 42 pikë për vendasit, ai nuk arriti të bënte më shumë se dy gjuajtje në periodën e fundit, pasi u mbrojt me rreptësi nga 40 vjeçari Grent Hill, i cili nuk e lejoi të tregonte aftësitë e tij para koshit. Ndërkohë, Kris Pol shënoi 25 pikë, Xhamal Krouford shtoi 27 pikë dhe Bleik Grifin regjistroi 17 pikë e 12 topa në tabelë, për të siguruar fitoren e dytë në 6 ndeshjet e fundit. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
LA Klipërs-Nju Jork 102-88
LA Leikërs-Majemi 97-107
Minesota-Memfis 88-105
Portland-Orlando 104-110
Nju Orlins-Toronto 89-102
Denver-Boston 114-118
Oklahoma-Feniks 97-69
San Antonio-Bruklin 111-86
Hjuston-Sakramento 111-117
Monday, 11 February 2013 09:03