LA Leikërs po mundohen me të gjitha forcat të ruajnë vendin e 8-të në Konferencën e Perëndimit dhe për këtë arsye po trajtojnë që tani çdo ndeshje si një përballje e playoff. Kjo gjë u pa më së miri në fitoren 86-84 ndaj Memfis, në një ndeshje ku LA Leikërs dëshironin me çdo kusht të tregonin se nuk e cilësojnë të mbaruar sezonin e tyre.
Kobi Brajant shënoi 24 pikë, 5 topa në tabelë dhe 9 pasime, Pau Gasol shtoi 19 pikë e 9 topa në tabelë, ndërsa Duajt Hauard, në hije gjatë të gjithë ndeshjes, u tregua vendimtar me një gjuajtje të lirë të realizuar në sekondat e fundit të takimit. Në radhët e Memfis, që luan për vendin e katërt në Konferencën e Perëndimit, shkëlqeu Majk Konli me 21 pikë të shënuara.
Në Konferencën e Lindjes bie në sy fitorja e 11-të radhazi e Nju Jork, që këtë radhë ka mundur Miluokin me rezultatin 101-83. Karmelo Entoni vazhdon të shkëlqejë me paraqitjet e tij dhe këtë sfidë e ka mbyllur me 41 pikë e 14 topa në tabelë, duke regjistruar takimin e tretë radhazi ku ka shënuar më shumë se 40 pikë. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Filadelfia-Atlanta 101-90
Kliveland-Boston 97-91
Miluoki-Nju Jork 83-101
Toronto-Minesota 95-93
Orlando-Çikago 86-87
Majemi-Sharlot 89-79
Oklahoma-Indiana 97-75
Nju Orlins-Utah 83-95
Golden Steit-Feniks 111-107
Dallas-Sakramento 117-108
Memfis-LA Leikërs 84-86
Hjuston-Portland 116-98
Saturday, 06 April 2013 09:08