San Antonio ka treguar se me mungesën e Kobi Brajant në radhët e LA Leikërs, do ta ketë shumë të thjeshtë të kalojë kalifornianët. Teksanët kanë zhvilluar një ndeshje shumë të mirë në mbrojtje, duke marrë një sukses 91-79 në ndeshjen hapëse të serisë mes dy skuadrave.
Tim Dankan shënoi 17 pikë e 10 topa në tabelë, Toni Parker shtoi 18 pikë e 8 asist, ndërsa Manu Xhinobili dha një kontribut të rëndësishëm nga stoli me 18 pikë në po aq minuta në fushën e lojës. Kjo paraqitje e treshes së “veteranëve” të San Antonio bëri të pavlefshme provat e mira të Duajt Hauard (20 pikë, 15 topa në tabelë) dhe Pau Gasol (16 pikë, 16 topa në tabelë).
Shumë më të thjeshta kanë qenë fitoret e Majemit dhe Oklahomas që kanë ndeshur pak rezistencë përballë kundërshtarëve përkatës, Miluoki e Hjuston. LeBron Xhejms shënoi 27 pikë, 10 topa në tabelë e 8 pasime në vetëm 34 minuta lojë në suksesin e skuadrës së tij, ndërsa Kevin Durant luajti edhe ai rreth 34 minuta në triumfin 120-91 ndaj Hjuston, duke shënuar 24 pikë e 6 topa në tabelë. (LajmeShqip.com)
PLAYOFF
Konferenca e Lindjes
Atlanta (6)-Indiana (3) 90-107
Miluoki (8)-Majemi (1) 87-110
Konferenca e Perëndimit
LA Leikërs (7)-San Antonio (2) 79-91
Hjuston (8)-Oklahoma (1) 91-120
Monday, 22 April 2013 10:06