Kriza e rezultateve te LA Leikërs ka sjellë “viktimën” e parë, trajnerin Majk Braun, i cili është shkarkuar në natën e të premtes. Pas 8 humbjeve parasezonale radhazi si dhe një fillimi aspak premtues të sezonit me 1 fitore e 4 humbje, drejtuesit e skuadrës kaliforniane morën vendimin për të larguar trajnerin.
Megjithatë, ekipi arriti të reagojë në fushën e lojës, duke mundur pak orë më vonë Golden Steit me rezultatin 101-77, ndërsa drejtohej nga asistenti Bikerstaf. Kobi Brajant udhëhoqi skuadrën drejt këtij suksesi me 27 pikë, 9 topa ne tabelë e 7 pasime, i ndihmuar nga Pau Gasol që shënoi 14 pikë e 16 topa në tabelë.
Ndërkohë, tifozët e skuadrës bënë të qartë se kë donin ata në drejtimin e ekipit, duke thirrur gjatë të gjithë kohës emrin e Fil Xhekson, trajnerit që ka fituar 5 tituj me këtë ekip. Sipas mediave amerikane, pronari i LA Leikërs, Xhim Bus, ka filluar kontaktet me ish-trajnerin, duke tentuar në të gjitha mënyrat ta kthejë atë në drejtimin e skuadrës, ku tashmë ka talent mëse mjaftueshëm falë afrimit të Duajt Hauard dhe Stiv Nesh gjatë verës.
Në takimet e tjera, Majemi ka fituar në fushën e Atlanta duke u kthyer në kreun e Konferencës së Lindjes. Këtë pozicion, kampionët e ndajnë me ekipin e Nju Jork, i vetmi që nuk ka pësuar ende asnjë humbje në këtë sezon dhe që fitoi takimin e radhës përballë Dallas me rezultatin 104-94. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Miluoki-Uashington 101-91
Bruklin-Orlando 107-68
Filadelfia-Boston 106-100
Dallas-Nju Jork 94-104
Majemi-Atlanta 95-89
Sharlot-Nju Orlins 99-107
Hjuston-Memfis 85-93
Indiana-Minesota 94-96
Detroit-Oklahoma 94-105
Kliveland-Feniks 105-107
San Antonio-Sakramento 97-86
Utah-Denver 84-104
Golden Steit-LA Leikërs 77-101
Saturday, 10 November 2012 09:03