LA Leikërs mund të kthehet në zhgënjimin më të madh të sezonit të ri në NBA pasi skuadra kaliforniane ka regjistruar humbjen e tretë në po aq ndeshje të luajtura deri tani. Në takimin e ndaj LA Klipërs, Kobi Brajant shënoi 40 pikë, por ato nuk mjaftuan për të marrë një sukses ndaj rivalëve historikë që triumfuan me rezultatin 105-95 falë një loje të shkëlqyer në skuadër, gjë që aktualisht nuk është e mundur te Leikërs që kanë bërë ndryshime drastike.
Një tjetër rezultat i bujshëm gjatë natës së mbrëmshme ishte suksesi i Nju Jork përballë kampionëve të Majemi me rezultatin 104-84. Në ndeshjen e zhvilluar në “Medison Skuer Garden”, i hapur për herë të parë pas uraganit Sendi, heroi i mbrëmjes për vendasit ishte Karmelo Entoni me 30 pikë dhe 10 topa në tabelë, ndërsa nga ana tjetër LeBron Xhejms u kufizua me 23 pikë, 7 topa në tabelë e 5 pasime.
Fitore kanë arritur edhe Oklahoma e Çikago, ndërsa bie në sy fitorja e dytë radhazi e Hjuston përballë Atlanta, me rezultatin 109-102. Për skuadrën e Hjuston spikati përsëri dyshja e afruar gjatë verës, Harden-Lin, ku i pari shënoi 45 pikë e 7 topa në tabelë, ndërsa i dyti realizoi 21 pikë, 10 topa në tabelë e 7 pasime. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Denver-Orlando 89-102
Indiana-Sharlot 89-90
Çikago-Kliveland 115-86
Hjuston-Atlanta 109-102
Miluoki-Boston 99-88
Portland-Oklahoma 92-106
Utah-Nju Orlins 86-88
Majemi-Nju Jork 84-104
Sakramento-Minesota 80-92
Detroit-Feniks 89-92
Memfis-Golden Steit 104-94
LA Klipërs-LA Leikërs 105-95
Saturday, 03 November 2012 09:23