LA Leikërs më në fund janë ngjitur në zonën e playoff duke marrë përkohësisht vendin e 8-të në Konferencën e Perëndimit, pas një sezoni me shumë vuajtje. Ky pozicionim mund të quhet një sukses për kalifornianët, të cilët kanë një rekord 33-31, falë suksesit 90-81 ndaj Çikagos.
Në një ndeshje shumë të luftuar, është dashur ndihma e të gjithëve në radhët e kalifornianëve, ku 6 lojtarë shënuan 10 a më shumë pikë. Kobi Brajant udhëhoqi si zakonisht skuadrën e tij me 19 pikë, 7 topa në tabelë e 9 pasime, ndërsa këtë radhë edhe Duajt Hauard u paraqit në një formë të shkëlqyer me 16 pikë e 21 topa në tabelë.
Një tjetër ndeshje e rëndësishme ishte ajo mes Indiana dhe Majemi, me kampionët në fuqi të NBA që fituan me rezultatin 105-91 dhe çuan në 18 numrin e fitoreve radhazi. Ndonëse LeBron Xhejms shënoi vetëm 13 pikë, 7 pasime e 6 topa në tabelë, ishte pjesa tjetër e skuadrës që bëri diferencën, me në krye Mario Çallmers që shënoi 26 pikë ndaj skuadrës që kishte mundur kampionët në dy takimet e mëparshme të këtij sezoni dhe shihet si rivali kryesor në Konferencën e Lindjes ndaj aspiratave të Majemit për të rifituar titullin. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Boston-Oklahoma 79-91
Çikago-LA Leikërs 81-90
Filadelfia-Orlando 91-99
Indiana-Majemi 91-105
Kliveland-Toronto 96-100
Portland-Nju Orlins 96-98
Dallas-Minesota 100-77
Miluoki-Sakramento 115-113
Detroit-LA Klipërs 97-129
Monday, 11 March 2013 09:57