Mungesa e Kobi Brajant nuk është ndjerë shumë në radhët e LA Leikërs, të cilët kanë bërë të qartë se do të provojnë me të gjitha forcat jo vetëm të shkojnë në playoff, por edhe të paraqiten sa më denjësisht aty, edhe pse nuk do të kenë në dispozicion yllin kryesor të skuadrës.
Duajt Hauard shënoi 26 pikë e 17 topa në tabelë ndërsa Stiv Bleik shtoi 23 pikë, me kalifornianët që mundën San Antonio me rezultatin 91-86, për të marrë një fitore që i mban në vendin e 8-të në renditjen e Konferencës së Perëndimit. Humbja ka dëmtuar përfundimisht shanset e San Antonios për t’u kthyer në vendin e parë në renditjen e Konferencës, që tashmë mbahet nga Oklahoma. Gjithsesi, duke parë paraqitjen e tyre, ndoshta teksanët janë të lumtur që nuk janë të parët, pasi përndryshe do të duhej të ndesheshin me LA Leikërs, që për momentin janë skuadra më e paparashikueshme në NBA.
Një skuadër që vazhdon të regjistrojë rekorde është Majemi, që ka fituar 105-93 ndaj Çikagos për të siguruar fitoren e 36-të në fushën e vet në këtë sezon, më e larta në historinë e klubit. LeBron Xhejms shënoi 24 pikë, ndërsa Duejn Uejd shtoi 22 të tjera në këtë takim i cili ngjante me një ndeshje të mirëfilltë të playoff, pasi Çikago zhvilloi një lojë shumë të fortë fizike, duke dërguar kampionët në fuqi të NBA plot 41 herë në vijën e gjuajtjeve të lira. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Çikago-Majemi 93-105
Bruklin-Toronto 87-93
Indiana-Nju Jork 80-90
Kliveland-Filadelfia 77-91
Portland-Denver 109-118
Dallas-Nju Orlins 107-89
Sakramento-Hjuston 100-121
San Antonio-LA Leikërs 86-91
Monday, 15 April 2013 09:47