LA Klipërs ka mundur Boston me rezultatin 106-77, duke u bërë ekipi i parë që nga viti 2008 që regjistron 15 fitore radhazi në NBA, shifër e arritur për herë të fundit pikërisht nga kundërshtarët e mbrëmshëm.
http://www.youtube.com/watch?v=6aCUXIgoKl4
Në një ndeshje që ka pasur pak rivalitet që në fillimin e saj, lojtari më i mirë për kalifornianët ka qenë Met Barns, i cili shënoi 21 pikë në 23 minutat që u aktivizua si zëvendësues. Kris Pol u mjaftua me 8 pikë e 11 pasime, ndërsa Bleik Grifin regjistroi 15 pikë e 8 topa në tabelë. Në radhët e Boston, pikëshënuesi më i mirë ishte Kevin Garnet me 16 pikë.
Kalifornianët janë në vendin e parë në renditjen e Konferencës së Perëndimit, të cilin e ndajnë me Oklahomën, që ashtu si ata, ka regjistruar 22 fitore e 6 humbje në këtë sezon. Mbrëmë, nënkampionët mundën Dallas me rezultatin 111-105, falë një paraqitje të jashtëzakonshme të dyshes Durant-Uestbruk. I pari shënoi 40 pikë për të çuar ndeshjen në kohën shtesë, ndërsa i dyti shënoi 8 pikë gjatë kësaj shtese për t’i dhënë suksesin skuadrës së tij. Lojtari më i mirë për Dallas ishte Darren Kolison me 32 pikë, ndërsa Dirk Novicki u kufizua me vetëm 9 pikë të shënuara në këtë sfidë, pasi po riaftësohet ende nga dëmtimi i gjatë që e la jashtë fushës për pjesën e parë të sezonit. (LajmeShqip.com)
Friday, 28 December 2012 09:54