LA Klipërs këtë sezon po arrijnë të marrin jo vetëm famën e kushërinjve të LA Leikërs, por edhe fitoret radhazi të cilat në sezonet e kaluara kanë qenë të zakonshme për ekipin tjetër kalifornian.
Kris Pol shënoi 17 pikë e pasime, Bleik Grifin shtoi 23 pikë ndërsa Xhamal Krouford shënoi 22 pikë si zëvendësues, duke i dhënë fitoren e 13-të radhazi kësaj skuadre me suksesin 103-77 ndaj Feniks që nuk bëri shumë rezistencë ndaj skuadrës që mban vendin e dytë në Konferencën e Perëndimit.
Në Lindje, Nju Jork ka fituar përsëri, duke iu afruar Majemit në garën për vendin e parë në këtë Konferencë. Këtë radhë suksesi ka qenë mjaft i vuajtur pasi njujorkezët e kanë patur shumë të vështirë përballë Minesotas që është ringjallur pas kthimit të Kevin Lëv dhe Riki Rubio, për t’u kthyer në një ekip problematik për këdo. Ndeshja u zgjidh nga Karmelo Entoni, i cili me 33 pikë e 7 topa në tabelë tregoi se dëmtimi që pësoi një javë më parë është harruar krejtësisht. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Filadelfia-Bruklin 92-95
Minesota-Nju Jork 91-94
Utah-Orlando 97-93
Dallas-San Antonio 91-129
LA Klipërs-Feniks 103-77
Portland-Sakramento 96-108
Monday, 24 December 2012 09:40