LA Klipërs ka arritur që për herë të parë të bëhet skuadra dominuese e Los Anxhelos, pasi ka mundur në të katër ndeshjet e këtij viti skuadrën tjetër të qytetit, LA Leikërs, që nga viti 1981. Për kë tepër, LA Klipërs janë fitues për herë të parë të Divizionit të Paqësorit, një arritje e paimagjinueshme deri disa vite më parë kur ata ishin bërë skuadra me të cilën talleshin të gjithë falë dështimeve të vazhdueshme.
Por tani LA Klipërs janë nisur drejt pjesëmarrjes në playoff pas fitores 109-95 pikërisht ndaj LA Leikërs që i kanë rrëmbyer të gjithë famën, ndërsa kanë arritur të nxjerrin dhe këta të fundit përkohësisht nga playoff, pasi i kanë zbritur në vendin e 9-të në Konferencën e Perëndimit. Kris Pol shënoi 24 pikë e 12 pasime ndërsa Bleik Grifin realizoi 24 pikë e 12 topa në tabelë për të marrë këtë fitore shumë të rëndësishme sidomos nga ana psikologjike.
Ndonëse Kobi Brajant zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë në radhët e LA Leikërs, me 25 pikë, 7 topa në tabelë dhe 10 pasime, ai nuk arriti të merrte një fitore për skuadrën e tij dhe tani rrezikon që të shohë playoff nga televizori dhe jo si protagonist, ashtu siç ka bërë gjatë të gjithë karrierës së tij. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Nju Jork-Oklahoma 125-120
LA Leikërs-LA Klipërs 95-109
Memfis-Sakramento 89-87
Orlando-Kliveland 85-91
Uashington-Boston 96-107
Çikago-Detroit 85-99
Utah-Golden Steit 97-90
Nju Orlins-Feniks 95-92
Dallas-Portland 96-91
Monday, 08 April 2013 11:32