LA Klipërs në këtë sezon janë të pandalshëm, siç e tregon fakti se po thyejnë rekorde të njëpasnjëshme të historisë së klubit, duke u bërë ndër ekipet më të ndjekura në NBA.
Në ndeshjen kundër Golden Steit, kalifornianët kanë arritur të fitojnë ndeshjen e 12-të radhazi në fushën e tyre, me rezultatin 115-89, si asnjëherë më parë në historinë e këtij klubi që shpesh ka qëndruar në hijen e LA Leikërs dhe nuk është cilësuar mes pretendentëve.
Kris Pol shënoi 27 pikë dhe 9 pasime ndërsa Bleik Grifin shtoi 20 pikë të tjera, me të dy yjet e ekipit kalifornian që nuk luajtën as deri në fundin periodës së tretë, pasi trajneri Vini Del Negro vendosi t’i ulte në stol kur diferenca mes dy skuadrave kishte shkuar në 36 pikë.
Një tjetër skuadër e ringjallur është ajo e Nju Jork, që në Konferencën e Lindjes vazhdon të duelojë kundër Majemit në luftën për vendin e parë, e udhëhequr nga Karmelo Entoni, në formë të jashtëzakonshme. Ylli i Nju Jork ka shënuar 40 pikë ndaj Orlando në suksesin 114-106 në transfertë, duke treguar se është gati për hapin e madh dhe se mund ta udhëheqë këtë skuadër drejt objektivave prestigjiozë, e pse jo titullit kampion, duke u kthyer vetë në kandidatin më të mundshëm të titullit MVP në këtë sezon. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Miluoki-Indiana 80-95
Boston-Atlanta 89-81
Nju Jork-Orlando 114-106
Sakramento-Bruklin 93-113
Hjuston-Kliveland 112-104
Portland-Minesota 102-97
Nju Orlins-Dallas 99-96
Filadelfia-San Antonio 86-109
Utah-Denver 91-110
Golden Steit-LA Klipërs 89-115
Sunday, 06 January 2013 09:35